Vlorë/ Policia shkatërron grupin e grabitësve

TIRANË, 5 maj/ATSH- A. Fortuzi/- Policia e Vlorës ka realizuar me sukses 

 operacionin e koduar “Triporti”, ku u arrestuan 4 persona të akuzuar për një seri grabitjesh në qytetin bregdetarë.

“Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë si dhe për kapjen e autorëve, Seksioni i Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Vlorë, ka organizuar dhe zhvilluar operacionin e koduar “Triporti””, njofton Policia e Vlorës.

“Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar në flagrancë për vjedhje në bashkëpunim, shtetasit e mëposhtëm: E.H., 31 vjeç, banues në Vlorë.  V.I., 19 vjeç, banues në Vlorë.  A.N., 29 vjeç, banues në Vlorë.  I.L., 18 vjeç, banues në Vlorë”, theksoi Policia e Vlorës.

“Këta shtetas janë arrestuar nga shërbimet e policisë për arsye se më datë 04.05.2019, në orët e para të mëngjesit kanë vjedhur Pikën e Bllokimit dhe Ruajtjes së Mjeteve “Triport-Vlorë” duke marrë 3 motoçikleta, mjete të cilat ishin lënë ruajtje nga shërbimet e qarkullimit për veprime të mëtejshme administrative”, thuhet në njoftim.

“Gjithashtu, nga hetimet e kryera në drejtim të këtyre personave, ka rezultuar se janë autorë të dyshuar për 5 vjedhje të tjera të cilat i kryenin në orët e vona të natës me qëllim që të mos identifikoheshin, konkretisht:  Më datë 17.04.2019, në lagjen “Hajro Çakërri” dyshohet se kanë vjedhur një motor në pronësi të shtetasit S.R. Më datë 08.03.2019, në pikën e bllokimit të mjeteve në Triport, Vlorë, dyshohet se kanë vjedhur dy targa automjetesh; Më datë 02.02.2019, dyshohet se kanë vjedhur disa krerë shpezë në pronësi të shtetasit R.P., Vlorë.  Më datë 14.03.2019, në fshatin Nartë, Vlorë, dyshohet se kanë vjedhur 3 bagëti të imta në pronësi të shtetasit J.Xh. Më datë 08.04.2019, në lagjen “Kushtrimi” Vlorë, dyshohet se kanë vjedhur disa krerë shpezë në pronësi të shtetasit E.S. Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprime të mëtejshme në ngarkim të këtyre shtetasve”, përfundon njoftimi.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.