Muaji i Ramazanit, Ruçi uron besimtarët myslimanë

TIRANE, 5 maj/ATSH/- Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, uroi sot besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të Muajit të Bekuar të Ramazanit.

“Me rastin e fillimit të Muajit të Bekuar të Ramazanit, u uroj gjithë besimtarëve myslimanë “Agjerim të lehtë!”  Ramazani është një muaj sakrifice, që përveç vlerave dhe përkushtimit ndaj besimit fetar, shfaq, jetërson e simbolizon vlera të fuqishme njerëzore e shoqërore, solidaritet me fqinjët dhe miqtë, të pafuqishmit e të pambrojturit, të varfërit e të sëmurët, me të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje, solidaritet e përkushtim njerëzor”, shprehet Ruçi.

Ai shton se ku muaj “është një mundësi për çdo besimtar të shfaq e të rishfaq dashurinë njerëzore, familjare e prindërore; respektin e dedikimin  për besimtarët dhe besimet e tjera, mirënjohjen dhe dhe devocionin për komunitetin, nderimin, adhurimin dhe moslodhjen për kombin, kontributin për mirëqenien dhe begatinë e të gjithëve, pavarësisht nga besimi, mosha, gjinia dhe mundësitë ekonomike e financiare”.

“Agjërimi dhe sakrifica le të bashkojnë jo vetëm zemrat e ndjenjat tona, por edhe logjikën dhe arsyen për të qenë të bashkuar për fatet e vendit e të kombit, si qëllimi  suprem i të gjithë shqiptarëve, këtu në Shqipëri dhe ne Diasporë”, thuhet në mesazhin e urimit të kryeparlamentarit Ruçi, drejtuar besimtarëve myslimanë me rastin e fillimit të Muajit të Bekuar të Ramazanit. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.