FOTO/ Pukë, rehabilitohen rrugët e fshatit Qerret

TIRANË, 4 maj/ATSH/ – Rrugët rurale në fshatin Qerret i janë nënshtruar rehabilitimit.

Pas fshatit Pla, bashkia e Pukës i ka përqendruar mjetet dhe forcat në Qerret për riveshjen me çakëll të akseve rrugore të paasfaltuara në këtë fshat.

Duke parë nga afër punën që po kryhen, kryetari i bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj tha se “kjo është një mënyrë për të lehtësuar qarkullimin e banorëve të fshatit Qerret në akset rrugore brenda fshatit”.

Kryebashkiaku Gjonaj theksoi se “shumë shpejt do të nisë puna dhe për kanalin vaditës të fshatit Qerret për të vijuar vjeshtën e ardhshme dhe me investimin madhor për ujësjellësin”.

“Ndërhyrjet në rrugë do të vijojnë në çdo fshat ku është e nevojshme”, tha Gjonaj.

Sistemi i rrugëve rurale dhe ndërhyrja për riparimin e urave janë prioritet i bashkisë së Pukës gjatë gjithë muajit maj. Kryebashkiaku Gjonaj i ka kërkuar drejtorit të Shërbimeve dhe Rrugëve Rurale si dhe atij të Urbanistikës për nxjerrjen në terren të të gjithë specialistëve me qëllim përmirësimet në infrastrukturë.

Bashkia e Pukës ka ndërmarrë një sërë investimesh për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në qytet, si dhe në zonat rurale. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.