FOTO/ Komedia “Kopraci” shfaqja e fundjavës në teatrin “Bylis”

TIRANË, 5 maj /ATSH/ – Komedia “Kopraci” e Molierit po shfaqet në skenën e teatrit të rikonstruktuar “Bylis” për publikun.

Trupa e artistëve të Korçës nën regjinë e Dhimitër Orgockës janë pjesë e skenës së Fierit me shfaqjen e tyre e cila ka shoqëruar publikun fierak që nga mbrëmja e së premtes dhe do të vijoj dhe sonte në mbrëmje.

Në moshën 92-vjeçare aktori Koço Qëndro riportretizon Harpagonin nga komedia “Kopraci” e Molierit me trupën e qytetit të Korçës nën regjinë e Dhimitër Orgockës. Ndërsa në skenë në rolet e tjera në vepër përmendim Blend Arifi, Ilda Pepa, Mateus Frroku, Zamira Kitën, Blera Belliu, Refik Xhinaku, Syrja Meçe, Lazarela Deti, Valentino Hamati dhe Antonio Tole.

Dëshirën për ta realizuar edhe një herë rolin e jetës, aktori i njohur korçar Koço Qëndro, e bëri realitet jo vetëm në qytetin e tij të Korçës, por së fundmi edhe në skena të tjera. Në rol ai shfaqet energjik dhe madje do të mbahet mend si Harpagoni më i veçantë dhe do të hyjë në histori për jetësimin në këtë moshë të këtij personazhi.

Harpagonin te komedia “Kopraci” e Molierit, regjisor Dhimitër Orgocka, e luajti dy herë, më 1976 dhe 29 vjet më vonë, më 2005, kur edhe fitoi çmimin si “Aktori më i mirë” në festivalin “Apollon” të Fierit.

Në komedinë “Kopraci” Molieri demaskon me forcë të madhe fuqinë shkatërruese të parasë dhe godet kopracinë, që ishte tipar karakteristik i borgjezisë në zhvillim. Ai e dënon si një ves të ulët me pasoja shumë negativ. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.