Vlorë/ Projekti “100 Fshatrat”, Margariti: Investime në identitet

Vlorë, 3 maj/ATSH-Harilla Koçi/ – Projekti “100 Fshatrat” synon së pari, të shfrytëzojë resurset ekzistuese në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.

Duke folur për këtë investim madhor të Qeverisë shqiptare, në Forumin me të njëjtin emër që u zhvillua gjatë ditëve të aktivitetit “South Outdoor Festival” në fshatin Borsh, Himarë, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, u ndal tek risitë që ai sjell për Dhërmiun dhe Vunoin, që janë dy fshatrat ku po ndihet dukshëm fryma e modelit të Projektit “100 Fshatrat”.

Sipas ministres Margariti, në këto dy fshatra të bashkisë Himarë, ka pasur një investim shumë të madh, që ka kaluar përmes restaurimit të fasadave, të çative, pjesëve të kalldrëmit, të shesheve, pra rikrijimit të hapësirave komunitare, një tjetër vlerë kjo e programit, që synon rikthimin e  ndjesisë komunitare nëpër fshatra, të cilat kishin nisur të abandonoheshin.

“Tani, këtë ndjesi po e rigjejmë sërish tek njëri tjetri, tek ajo dëshira për të qëndruar së bashku në fshat”, nënvizoi Margariti, duke u shprehur se,  Vunoi, shumë shpejt do të ketë edhe aktivitetet e para ekonomike, të cilat nuk janë thjesht restorante, ose hotele me yje, por mikrodyqane dhe produkte kulinare, produkte të zejtarisë, të artizanatit.

Duke u ndalur tek detajet e zbatimit të  këtij projekti, Margariti evidentoi se janë diskutuar dhe po shihet mundësia e aplikimit të formulave të reja.

Sipas saj, projekti “100 fshatrat”, nuk është një model i vetëm që replikohet në 100 fshatrat, sepse secili fshat ka karakteristikat e veta dhe modeli që gjendet në një zonë, nuk mund të gjendet me të njëjtin gërshetim tek fshatra të tjerë.

“Në këtë drejtim, për të gjithë ata që mund të pyesin se ku duhet të investojnë, unë sugjeroj që, duhet investuar tek identiteti i fshatit, tek ata elementë unikalë që e bëjnë fshatin me të vërtetë karakteristik. Vetëm kështu fshati mund të ecë përpara”, u shpreh ministrja Margariti.

Ajo shtoi se janë diversifikuar tashmë modelet e ndryshme të zhvillimit, pikat kyçe të zhvillimit të fshatrave dhe janë duke u detajuar projektet.

Shumë shpejt do të realizohen aplikimet e para dhe prej këtej pritet të reflektohet një ndërveprim më i madh mes investimeve private dhe atyre shtetërore.

Aktiviteti “South Outdoor Festival”, që u zhvillua në fshatin Borsh të Bashkisë Himarë, shënoi edhe çeljen e sezonit turistik veror në këtë njësi vendore.

Ky aktivitet u organizua nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, GIZ, në bashkëpunim me bashkinë, si pjesë e projektit të madh të promovimit të resurseve turistike të kësaj zone. /k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.