Rama-opozitës: Mbase bëhemi një vend që ofrojmë dhe turizëm protestash

TIRANË, 3 maj/ATSH-Maela Marini/ “Përditë çelen dyer bujtinash të vogla dhe përditë rritet numri i vizitorëve edhe jashtë sezonit”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa theksoi se “sot në Berat nuk mund të gjeje asnjë vend të lirë”.

I pranishëm në një aktivitet të organizuar në Ishull Lezhë për prezantimin e kalendarit kulturor e artistik, Rama tha se “na dha të drejtë koha për vlerën e shtuar të gjithë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane dhe për këtë mjafton të shikojmë se çfarë po ndodh sot në Korçë, çfarë ka filluar të ndodhë në Berat apo në Gjirokastër”.

“Po marr 3 pika, për të mos u shtrirë më tutje, si nxitje zinxhir e iniciativave private, pas daljes në dritë të fytyrës së qytetit. Përditë çelen dyer bujtinash të vogla, përditë rritet numri i vizitorëve edhe jashtë sezonit”, – tha Rama.

“Jo më larg se sot, unë u interesova për një grup miqsh që kishin ardhur nga jashtë dhe donin të qëndronin në Berat dhe nuk kishte asnjë vend, me gjithë ndërhyrjen që i kërkova ministrit që është dhe deputet i Beratit, për të parë nëse do gjente ndonjë mundësi. Asnjë mundësi”, – theksoi Kryeministri.

Për fat të mirë deri tani, vijoi ai, “edhe kjo ububu-ja e krijuar artificialisht nuk ka ndikuar, madje mbase bëhemi një vend që ofrojmë dhe turizëm protestash”.

“Mund të jetë një nga atraksionet, sepse duke qenë se janë protesta me orare, me stacione të përcaktuara, me gjithë atë skenografinë e përgatitur si shfaqje për të impresionuar njerëzit nëpërmjet ekraneve dhe faktikisht mbeten në perimetra shumë të vegjël, fare mirë mund të përfshihen në kalendarin turistik, duke i ofruar vizitorëve që të ndjekin një protestë, pavarësisht se pastaj do të marrin përsipër edhe atë “riskun” që të numërohen si protestues dhe të rritet artificialisht pjesëmarrja”, – tha Kryeministri. /r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.