FOTO/ Ekspozita për Aleksandër Moisiun, tërheq vëmendjen edhe të turistëve

TIRANË, 3 maj /ATSH/ – Ekspozita “Aleksandër Moisiu – Njeriu dhe Artisti” në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) vazhdon të ndiqet me interes nga studentë dhe turistë që vizitojnë Tiranën.

Gjithashtu këtë ekspozitë mjaft të veçantë e ka vizituar dhe regjisori i mirënjohur, mjeshtri i kinemasë shqiptare, Dhimitër Anagnosti dhe Roza Anagnosti.

Kjo ekspozitë sjell për publikun 44 foto të printuara në kanavacë tregojnë disa nga momentet më të rëndësishme të jetës së Moisiut si: fëmijëria, familja, dokumentet e rëndësishëm të jetës së aktorit, si dhe pamje nga rolet e tij në film e teatër.

Gjithashtu për herë të parë janë bërë publike foto me imazhe të  objekteve personale të aktorit si: stampa e dorës, flokët origjinalë, maska e vdekjes, spaletat e ushtarakut, kurora e aktorit më të mirë të Europës, si dhe disa foto nga ceremonia mortore e Aleksandër Moisiut në Vjenë.

Ekspozita sjell foto me objektet personale të aktorit, pronë e Muzeut Kombëtar të Teatrit Austriak, shumë nga të cilët së bashku me dokumente shkresore apo korrespondencën e tij personale, janë dhuruar në vitin 1958 nga bashkëshortja e tij Johanna Terwin. Në vitin 1971, këtij koleksioni iu shtua dhe trashëgimia dokumentare që kishte mbledhur për Aleksandrin, adhuruesja e tij, Maria Dobrozensky.

Përveç këtyre objekteve, në fondin “Moisiu”, ka dhe shumë vepra të tjera, si të shkruara, ashtu dhe nga arti pamor të cilat mungojnë këtu, sepse u përkasin koleksioneve private.

Përveçse i jashtëzakonshëm profesionalisht, ai ishte i jashtëzakonshëm dhe si njeri. Ai nuk shmangu apo refuzoi asnjëherë ftesat për takime që i dërgoi komuniteti shqiptar.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 8 maj. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.