Basha: Situata e përkeqësuar e medies reflekton gjendjen e demokracisë

TIRANË, 3 maj/ATSH/ “Gjendja e përkeqësuar e lirisë së medias reflekton gjendjen e vërtetë të demokracisë në Shqipëri”, deklaroi sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Basha tha se “gazetarët shqiptarë janë më pak të lirë, më të pasigurtë, më të censuruar, me fare pak të drejta sociale dhe ekonomike, ndërsa shumë prej pronarëve të televizioneve, gazetave, portaleve janë më të pasur me tendera, licenca dhe favore të tjera qeveritare”.

“Gjendja e përkeqësuar e medias në Shqipëri u reflektua me rënien me 7 vende në indeksin botëror të Lirisë së Medias, në raportin e së cilës shprehet shqetësimi ‘për kapjen e mediave dhe përqendrimin e tyre në duart e një grushti biznesmenësh'”, tha Basha.

Përdorimi i medias për avancimin e interesave ekonomike dhe jo për interesin publik, sipas tij, “është problemi kryesor që i ka ulur medias besueshmërinë tek publiku dhe ka bërë që 80% e gazetarëve të shprehen se nuk kanë besim për të ardhmen e tyre profesionale”.

Vullneti i qeverisë, tha Basha, “është vendimtar për të përcaktuar lirinë e gazetarëve, sigurinë e tyre, të drejtat sociale dhe ekonomike”.

“Personalisht, jam angazhuar që me marrjen e drejtimit të qeverisjes së vendit, do të bëj gjithçka për të forcuar lirinë e medias si shtyllë kryesore të demokracisë. Gazetarët meritojnë të jenë pushteti i katërt dhe jo një vegël propagande në duart e kryeministrit”, theksoi Basha./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.