SHBA – Korrupsion për pranimin në universitet, prindërit pranojnë fajësinë

UASHINGTON, 2 maj /ATSH-AFP/ – Një çift, prindër nga Kalifornia të akuzuar se kanë paguar ryshfet për pranimin e fëmijëve të tyre në universitetet më prestigjioze amerikane, pranuan fajësinë dhe do të bashkëpunojnë me hetuesit, gjë që mund të çojë në akuza të reja.

‘’Bruce Isackson, një profesionist në fushën e pasurive të patundshme, 62 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, Davina Isackson të dy bashkë pranuan fajësinë për komplot për transferimin e fondeve për qëllime të paligjshme’’, njoftoi zyra e prokurorit federal të Bostonit, i ngarkuar me hetimin.

Bruce Isackson pranoi gjithashtu edhe dy akuza të tjera, përfshirë pastrimin e parave.

Sipas aktakuzës, çifti Isackson kishin paguar në total 600 000 dollarë për të siguruar pranimin e vajzës së madhe në universitetin e UCLA-s, më pas të vajzës së dytë në Universitetin e Kalifornisë së Jugut (USC), dy fakultete prestigjioze të Los Angeles.

Masa e dënimit do të jepet më 31 korrik.

Ata janë prindërit e vetëm në mesin e 33 të akuzuarve në këtë skandal, të cilët nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me hetuesit, që mund t’i vijë në ndihmë këtyre të fundit për të mbledhur prova të mjaftueshme për vënien nën akuzë të prindërve të tjerë./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.