Sezoni turistik, parqet arkeologjike dhe muzetë të hapura çdo ditë të javës

TIRANË, 2 maj /ATSH/ – Sezoni veror turistik ka filluar dhe nga 1 maj deri më 15 tetor, të gjithë muzetë, parqet dhe sitet arkeologjike, janë të hapura çdo ditë të javës për vizitorët.

Oraret për vizitorët janë nga e hëna në të diel, nga ora 09:00 deri në orën 18:00. Këto vizita do i ofrojnë vizitorëve qendra të rëndësishme kulturore dhe pika referimi ku mblidhen, ruhen, hulumtohen vlera dhe histori të vendit tonë.

Në Shqipëri ndodhen një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj., ndërsa nga kalatë përmendim kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, kalaja e Petrelës, Tiranë, kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër etj, ndërsa nga muzetë përmendim Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeu Etnografik në Berat, Muzetë Arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeu i armëve dhe Etnografik në Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeu Arkeologjik, Tiranë, Muzeu Historik, Shkodër etj.

Muzetë dhe parqet arkeologjike në Shqipëri kanë “rrëmbyer” një shifër mbresëlënëse vizitorësh në janar-qershor 2018, ku ka pasur një rritje 71% të numrit të vizitorëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Janë gjithsej 378 mijë turistë vendas dhe të huaj, të cilët kanë vizituar kalatë, parqet arkeologjike dhe sitet arkeologjike. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.