TIRANË, 2 maj/ATSH-Maela Marini/ “Samiti i Berlinit ka hapur një perspektivë të re për fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi dhe dëshmon një angazhim të ri të shteteve europiane në këtë proces”, – deklaroi sot në mbrëmje ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.
I ftuar në një studio televizive, Cakaj tha se “takimi i Berlinit nuk ka lidhje me procesin e zgjerimit të BE për hapjen e mundshme të negociatave dhe nuk ishte as një takim në kuadër të kornizës së Procesit të Berlinit”.
“Kjo ka qenë një iniciativë politike franko-gjermane për të rikthyer vëmendjen e nevojshme në Ballkanin Perëndimor dhe zgjidhjen mes Kosovës dhe Serbisë. Samiti është mjaft i rëndësishëm për rikthimin e vëmendjes në Ballkanin Perëndimor, pasi ka pasur stanjime të herëpashershme dhe ndërkohë mundëson unifikimin e shteteve europiane ndaj dialogut Kosovë-Serbi”, – tha Cakaj.
Sipas tij, “për herë të parë në këtë proces janë përfshirë faktorët e rajonit”. /a.g/