Me Kancelaren Merkel u diskutua mundësia e çeljes së negociatave në qershor

TIRANË, 2 maj/ATSH-Maela Marini/- “Në takimin bilateral në Berlin me Kancelaren Angela Merkel është diskutuar edhe për mundësinë e hapjes së negociatave në qershor”, – deklaroi sot ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ndërsa tha se për shkaqe teknike vendimi mund të zhvendoset edhe në shtator.

I ftuar në një studio televizive, Cakaj tha se “KE këtë radhë do ta publikojë raportin në fund të majit, në ndryshim nga vitet e tjera kur publikohej në prill”.

Zhvendosja e kalendarit pas zgjedhjeve të PE-së, sipas Cakajt, “është indikator që procesi po bëhet gjithnjë e më politik”.

“Nëse në fund të majit marrim një raport pozitiv, shtetet anëtare kanë një kohë të shkurtër në dispozicion për ta shqyrtuar raportin. Për shkaqe teknike vendimi mund të zhvendoset për në shtator, ose në një datë tjetër”, – tha Cakaj.

Cakaj theksoi se vitin e kaluar raporti i Komisionit rekomandoi hapjen e pakushtëzuar të negociatave. Sipas tij, “nga pikëpamja objektive dhe teknike të gjitha kushtet janë përmbushur, por procesi ka edhe një dimension politik, ku vendimmarrja zhvendoset te shtetet anëtare të BE-së. Vitin e kaluar Gjermania ka qenë mbështetëse absolute për hapjen e negociatave, por numri i shteteve vendimmarrëse është më i madh”.

Sipas tij, “procesi i negocimit ka tri faza kryesore”. “Kemi screening ku bëhet ekzaminimi i legjislacionit vendor, kemi negocimin e kapitujve të legjislacionit europian. Në rastin e Shqipërisë, Këshilli nuk ka vendosur për hapjen e menjëhershme të negociatave, por ka autorizuar Komisionin për të filluar screening, që është një proces që u takon shteteve që janë në proces e sipër për negociatat”, – tha Cakaj.

Ai theksoi se “procesi i integrimit europian varet nga reforma të dyfishta. “Së pari, ka të bëjë me reformat në Shqipëri dhe përmbushjen e kushteve të nevojshme dhe varet nga procesi reformator në BE”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.