INDI – 800 000 të evakuar pas afrimit të ciklonit Fani

NJU DELHI, 2 maj /ATSH-AFP/ – Rreth 800 000 persona u evakuan nga rajonet në lindje të Indisë, pasi mund të jenë në trajektoren e ciklonit Fani, shoqëruar me reshje të dendura shiu dhe erëra me intensitet të lartë që i kalojnë 200 kilometrat në orë, njoftuan sot disa zyrtarë indianë.

Shërbimi i meteorologjisë pohoi se parashikohej që stuhia të prekë tokën të premten pasdite në shtetin e Odishas, në jug të Kalkutës dhe do të ndjekë një trajektore që do të përshkojë zona të populluara me mbi 100 milionë banorë.

Një drejtues i mbrojtjes civile shtetërore tha për median se 780 000 persona u evakuan drejt zonave të sigurta të mërkurën në mbrëmje në 13 distrikte të Odishas, shtet i cili numëron 46 milionë banorë dhe që pritet të goditet më rëndë nga cikloni.

‘’Ne parashikojmë që mbi një milion persona të largohen nga zona e rrezikut në 12 orët në vijim’’, sqaroi Bishnupada Sethi, komisari i ngarkuar me operacionet e shpëtimit në Odisha./ /v.b/ a.jor.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.