Braçe: Basha dhe Kryemadhi i bllokojnë rrugën popullit, jo Ramës

TIRANE, 2 maj/ATSH/- Zv.kryeministri Erion Braçe reagoi lidhur me qëndrimin e PD për bllokimin sot pasdite të akseve kombëtare.

“Lajm i madh dhe i vjetër; ai dhe ajo, i madh dhe i vjetër; ai dhe ajo, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi do bllokojnë rrugët sot. Jo më një, por dy orë! Dakord, titulli dhe lajmi kanë një të vërtetë: Nuk është populli që po bllokon rrugët, anormale kjo në një revoltë por, janë anëtarët e dy partive dhe 5 kryetarë të partive pa anëtarë, të cilët do bllokojnë rrugët”, tha Braçe.

“Kur është kështu, dy pyetje kam unë: E para, kujt do ja bllokojnë rrugët këta? Edi Ramës – të cilin e kanë shënjestër?! Joooooo! Deri tani Edi Ramën s’e kanë bllokuar asnjëherë, zero! Ai e ka patur rrugën e lirë dhe ka zhvilluar çdo aktivitet të planifikuar, dhe masiv madje. Ka një arsye të qartë përse: Ata që bllokojnë rrugët janë gjithë e gjithë nga 50-200 vetë maksimumi në Milot, nuk janë shumicë, janë pakicë, nuk janë populli, por anëtarët e partisë kundër popullit”, deklaron zv.kryeministri.

Pra, kujt do ja bllokojnë rrugët këta? Popullit, natyrisht! Vetëm popullit! Punës dhe ekonomisë së tij! Pyetja e dytë: A është dakord Presidenti i Republikës me bllokimin e rrugëve të popullit, punës dhe ekonomisë së tij? E kam një ide, prej viteve 1999-2000”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.