Balla: Opozita po sulmon institucionet e reja të drejtësisë

TIRANË, 2 maj/ATSH/ – Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla theksoi gjatë një interviste televizive se partitë opozitare kërkojnë që të pengojnë ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe rrugëtimit europian të Shqipërisë.

“Halli i opozitës është Reforma në Drejtësi. Halli i tyre është krejtësisht i ndryshëm nga halli i shqiptarëve dhe këta politikanë të korruptuar të cilët mundohet t’i vendosin pengesa ecjes përpara të Shqipërisë në rrugën europiane, apo Reformës në Drejtësi nuk kanë për t’ia dalë dot. Prej muajsh ka pasur përpjekje nga PD për të delegjitimuar institucionet demokratike në këtë vend, për të delegjitimuar Kuvendin legjitim të shqiptarëve. Vetëvrasja politike kërkoi të asgjësonte Kuvendin e Shqipërisë, përpjekje për të delegjitimuar proceset zgjedhore. Zgjedhjet janë dekretuar në 30 qershor. Kemi një qeveri legjitime dhe dua të ricitoj këtu atë që me të drejtë theksoi Palmer, që zgjedhjet janë demokratike edhe në rast se në vend merr pjesë vetëm një forcë e vetme politike. Opozita ka sulmuar institucionet e reja të Drejtësisë që po lindin, duke sulmuar KLGj, KLP, KED dhe nuk ka asnjë dyshim që më shumë se 65% e shqiptarëve se gjithë kjo prirje e opozitës është për të penguar Reformën në Drejtësi. Përpjekja që po bëjnë për të destabilizuar vendin, bien ndesh me hapjen e bisedimeve për integrimin e Shqipërisë në BE”, – theksoi Balla.

Në fjalën e tij Balla theksoi gjithashtu bindjen se shqiptarët do të dinë të vlerësojnë në zgjedhjet e 30 qershorit, duke sjellë si shembull punën e mirë të bërë nga bashkia e Tiranës krahasuar me atë të Shkodrës.

“Ajo që është shumë e qartë, është që sot është një ditë e rëndësishme në kuadër që partitë politike bëjnë për zgjedhjet e 30 qershorit, sot është afati i fundit i depozitimit në KQZ të koalicioneve zgjedhore dhe dua t’ju them që në këto momente përfaqësuesit e PS sapo kanë mbërritur në KQZ për të depozituar koalicionin e Aleancës për Shqipërinë Europiane (ASHE). Një gjë është sigurtë, që çdo shqiptar di shumë mirë që të vendosë se si është qeverisur në Tiranë dhe si është qeverisur në Shkodër, se si është qeverisur në Fier dhe si është qeverisur në Kukës, dhe këto lloj krahasimi shqiptarët dinë ta bëjnë shumë mirë. Në disa bashki me përbërje të minoriteteve të nderuara, ne jemi në diskutimet me partitë që përfaqësojnë këto minoritete për të identifikuar kandidatë që vijnë nga këto minoritete, për të garantuar një përgjegjësi në qeverisje”, – vijoi ai.

Balla theksoi gjithashtu se javën e ardhshme do të përcaktohen edhe kandidatët e PS dhe koalicionit të saj për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

“Javën e ardhshme ne do të kemi mbledhjen përfundimtare të Kryesisë së PS, e cila është institucioni vendimmarrës i PS. Unë sapo kthehem nga 2 mbledhje të rëndësishme të asamblesë së PS në Gramsh dhe Peqin, ku kam dëgjuar propozimet e shumta për kandidatët, ku më pas Kryesia e PS nëpërmjet një procesi transparent do të përcaktojë të 61 kandidatët. Zgjedhjet e 30 qershorit do të jenë të lira dhe të ndershme, kushdo që ende pretendon se mund të pengojë sadopak një zgjedhës të vetëm për të marrë pjesë në zgjedhje, Kodi Penal është i qartë”, – tha ai.

Duke u ndalur te hapja e negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë, Balla u shpreh shpresëplotë se raporti i Komisionit Europian në përfundim të zgjedhjeve europiane do të jetë pozitiv për Shqipërinë.

“Raporti i Komisionit Europian në përfundim të zgjedhjeve europiane do të jetë pozitiv, që Shqipëria i ka përmbushur të gjitha detyrat për të hapur procedurat e anëtarësimit”, – theksoi ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.