PEKIN – Mnuchin: Negociatat tregtare SHBA-Kinë të frytshme

PEKIN, 1 maj /ATSH-AFP/ – Kina dhe SHBA-ja përfunduan sot në Pekin sesionin e radhës së negociatave në lidhje me mosmarrëveshjet e tyre tregtare, mbledhje që u cilësuan si të frytshme nga amerikanët, para se të fillojnë bisedimet e reja në Uashington javën e ardhshme.

Në përfundim të bisedimeve asnjëri prej negociatorëve nuk u shpreh mbi rezultatet e diskutimeve. Megjithatë Steven Mnuchin u shpreh shkurtimisht në “Twitter” se ka pasur mbledhje të frytshme me palën kineze.

Sipas Shtëpisë së Bardhë këto bisedime duhet të fokusohen mbi çështjet e pronës intelektuale dhe të transferimit të detyrueshëm të teknologjive të imponuar nga Kina mbi sipërmarrjet e huaja, si dhe mënyrën për të verifikuar aplikimin e një marrëveshje të mundshme që synon t’i japë fund luftës tregtare mes dy fuqive.

“Ne do të vazhdojmë bashkëbisedimet tona në Uashington javën e ardhshme”, përfundon Mnuchin në rrjetin social.

Një mbledhje e re parashikohet më 8 maj në SHBA bashkë me negociatorët kinezë.

Për të detyruar Pekinin që të ndryshojë praktikat e saj të gjykuara të pandershme, Uashingtoni vendosi në vitin 2018 taksa shtesë prej 10 deri në 25% mbi 250 miliardë dollarë produkte kineze të importuara në vit. Gjiganti aziatik u përgjigj duke vendosur taksa doganore mbi 110 miliardë dollarë produkte amerikane. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.