Manastirliu në Lezhë: Këtë vit nis ndërtimi i maternitetit të ri

Lezhë, 1 maj /ATSH/ – Gjatë prezantimit të ekipit të ri të mjekëve specialistë, të cilët i janë bashkuar spitalit rajonal të Lezhës, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, prezantoi projektin për transformimin e spitalit të Lezhës, që nis me ndërtimin e maternitetit të ri.

“Kemi finalizuar projektin për transformimin e spitalit rajonal Lezhë, që nis këtë vit me ndërtimin e maternitetit të ri, i cili do të jetë pjesë e korpusit spitalor”, – tha Manastirliu gjatë takimit me mjekët e këtij spitali.

Janë 350 milionë lekë nga buxheti i shtetit, të cilat do të investohet për ndërtimin e maternitetit të ri në Lezhë. Godina e re e maternitetit do të ketë të gjitha shërbimet, duke filluar nga urgjenca, sallat e lindjes, dy salla operacioni, me një kapacitet 50 shtretër.

Duke deklaruar se ky është investimi më i rëndësishëm prej më shumë se 2 dekadash në këtë spital, ministrja Manastirliu tha se projekti do të vijojë edhe në dy faza të tjera, me rehabilitimin e Poliklinikës së spitalit dhe rehabilitimin e plotë të godinës qendrore të spitalit të Lezhës.

Këto deklarata ministrja Manastirliu i bëri gjatë prezatimit të 9 mjekëve specialistë në shërbimet e gjinekologjisë, kardiologjisë, kirurgjisë, urgjencës, reumatologjisë, onkologjisë, mikrobiologjisë dhe mjekësisë transfuzive, duke mundësuar edhe shërbime që nuk ofroheshin më parë në këtë spital.

“E kemi dëgjuar shpesh që mungojnë mjekët specialistë. Politika e bllokimit të specializimeve për 4 vite patjetër që shkaktoi probleme dhe mungesa, por sot, pas katër vitesh specializim ja ku janë mjekët e rinj që po ofrojnë shërbime të specializuara. Janë 167 mjekë specialistë me kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë, që prej muajit mars janë atashuar pranë spitaleve rajonale dhe bashkiake në vend”, – tha Manastirliu. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.