Ferizaj përkujton dëshmorin Abdiselam Ahmeti

PRISHTINË, 1 maj/ATSH/- Dhjetëra qytetarë, familjarë të dëshmorëve, drejtues politikë në nivelin lokal, përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shoqatave të dala nga lufta morën pjesë në homazhet në nderim të jetës, veprës dhe sakrificës së dëshmorit të kombit, Abdiselam Ahmeti, në 20-vjetorin e rënies së tij heroike.

Kurora lulesh, përkulje dhe nderim në varrezat e Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Ferizaj bënë kryesuesja e kuvendit të komunës, Kristina Gashi Bytyçi, shoqëruar edhe nga kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Gafurr Bytyçi, përfaqësues të OVL-UÇK-së në Ferizaj dhe përfaqësues të pushtetit lokal.

“Sot nderuam jetën dhe veprën e Abdiselam Ahmeti, Dëshmorit të Kombit, i cili bashkë me dëshmorët e tjerë dhanë më të shtrenjtën, jetën e tyre, që me gjakun dhe sakrificën e tyre mundësuan që ne sot të frymojmë lirshëm në vendin tonë. Lavdi dëshmorit të kombit Abdiselam Ahmeti, lavdi të gjithë dëshmorëve që u flijuan në altarin e lirisë”, tha Bytyçi.

Përkujtimi për Abdiselam Ahmetin përveç në varrezat e dëshmorëve në Ferizaj, vijoi edhe në fshatin Dremjak, në vendin ku ra heroikisht dëshmori. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.