Hazbi Dervishi, agronomi që po shndërron lagjet e kryeqytetit në oaze të gjelbra

TIRANË, 29 prill/ATSH A.ALLA /- Dashuria për pemët dhe lulet, si dhe dëshira për të bukurën dhe pastërtinë bën që Hazbi Dervishi, të shndërrojë hapësirat në lagjen e tij dhe jo vetëm në mjedise të gjelbëruara.

Banor i lagjes “Irfan Tomini”, në Tiranë që prej vitit 1990, pasioni i Dervishit për t’u kujdesur për pemët e ka zanafillën që në studimet e larta, të cilat i vazhdoi në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku ka studiuar në degën e Agronomisë, por edhe nga babai i tij, që siç shprehet ai “është një agronom i padiplomuar, por gjithë jetën në fshat ka mirëmbajtur frutat dhe pemët pa dëmtuar natyrën”.

Në një intervistë për ATSH-në, Dervishi shprehet se “ideja e shndërrimit të këtyre hapësirave i lindi në kohën kur hapi biznesin e tij në këtë lagje, e cila ishte e mbushur me materiale inerte”.

“Në fillim këtu kemi ngritur një biznes të vogël dhe tani kemi një supermarket. Pjesa përballë biznesit tim në fillim ishte një vend ku kishte mbetje inerte nga banorët dhe të krijonte një pamje aspak të këndshme”, shprehet Dervishi.

Së bashku me vëllezërit dhe fëmijët e tij ai ndërmori nismën që inertet t’i hiqte me shpenzimet e tij dhe në mjedisin përreth mbolli disa rrënjë ullinj. “Mbolla ullinj pasi kjo është pema, e cila është traditë në zonën nga vij unë, nga Ndroqi. Në këtë kënd janë mbjellë 9 fidanë para 5 vitesh dhe tani janë goxha të shëndetshëm dhe kanë që vjet që kanë hyrë në prodhim”, thekson ai.

Sipas tij, qëllimi nuk ishte të prodhonte ullinj. “Dëshira ime ishte të krijoja një pamje sa më atraktive dhe për t’i dhënë lagjes dhe komunitetit, një pamje sa më të bukur dhe sa më të gjelbëruar”, thotë ai.

Dervishi na rrëfen edhe pse zgjodhi pemën e ullirit dhe jo ndonjë tjetër për të mbjellë në mjediset e lagjeve.

“Kur isha në fshat gjyshi im thoshte që të martohet një djalë i ri nuk kurorëzohet dot pa mbjellë 10 rrënjë ulliri, kjo do të thoshte që ullinjtë të mbilleshin një vit para, të ujiteshin gjithë verës në kushte të vështira dhe pasi të vërtetohej nga kryeplaku i fshatit që këta ullinj kanë zënë, atëherë ky çift mund të kurorëzohej duke i vënë një rreth ulliri ditën e martesës”, tregon ai.

Por, ideja e tij nuk mbeti vetëm me kaq, Dervishi filloi të mbillte sa më shumë rrënjë ulliri në lagjen e tij. “Pas këtij këndi më lindi ideja të shfrytëzoja çdo hapësirë në këtë lagje duke mbjellë pemë ulliri në çdo kënd bosh. Kjo lagje për momentin ka të mbjella rreth 60 rrënjë ullinj dhe do vazhdoj të mbjell akoma”, shton ai. Iniciativa e tij u mirëprit nga banorët e lagjes ku jeton, të cilët aktualisht e ndihmojnë në këtë nismë të tij. “Banorët kanë një frymë pozitive dhe bashkëpunuese për këtë iniciativë timen. Në fillim iu dukej si çudi, por tani jo vetëm që nuk ndotin më ambientet e lagjes, por janë bërë bashkëpunues dhe në mirëmbajtjen e këtyre pemëve, pasi iu duket një mrekulli”, tregon ai.

Pas gjelbërimit të lagjes së tij, Dervishit i lindi ideja të zgjeronte këtë nismë edhe në lagje të tjera të kryeqytetit, ambientet e të cilave në disa raste lënë shumë për të dëshiruar, pasi banorët nuk kujdesen të mirëmbajnë edhe ambientet e jashtme të tyre. “Gjithashtu kam mbjellë dhe 10 pemë tek ura e këmbësorëve afër shkollës “Vasil Shanto’’ dhe do të mbjell dhe 15 rrënjë ullinj”, nënvizon ai.

Një tjetër pasion i tij është edhe përdorimi i biçikletës, të cilën e ka zgjedhur si mjet për të kryer punët e tij, por edhe për të shëtitur. “Mbaj gjithmonë me vete disa çelësa po më kryesorin kam atë të biçikletës me të cilën bëj të gjithë punët e mia. E përdor pasi e shoh si mjetin më të përshtatshëm, nuk ndot mjedisin, as rëndon trafikun, por është një lloj sporti edhe për shëndetin”, thotë Dervishi.

Puna e tij e mirë për shndërrimin e hapësirave të gjelbra bëri që banorët e pallatit ku jeton ta zgjidhnin edhe administrator të pallatit.

“Në sajë të kontributit tim personal në shndërrimin e lagjes në një hapësirë të gjelbër komuniteti më ka përzgjedhur të jem dhe administrator. Kontributin në rregullimin e hapësirave të pallateve, hyrjeve të shkallëve, pastërtisë së ambienteve përreth lagjes unë e kam bërë me shpirt dhe falas duke i krijuar kushte sa më të përshtatshme banorëve”, thekson Dervishi.

Ai na sjell edhe shembullin e kompozitorit Sokol Marsi, banor në të njëjtin pallat me të, i cili ka mbjellë ullinj me kontributin e tij personal së bashku me djalin e tij. “Duke parë kontributin tim pjesë e kësaj nisme për shtimin e hapësirave të gjelbra iu bashkua dhe kompozitori Sokol Marsi duke mbjell dy ullinj me kontributin e tij personal së bashku me djalin e tij. Këtyre rrënjëve të ullirit i vendosi dhe emrat e kompozitorëvë të preferuar Moxart dhe Verdi”, tha Dervishi.

Duke i drejtuar një mesazh të gjithë biznesmenëve, Dervishi thotë se” ata jo vetëm duhet të kontribuojnë me vlerë monetare, por duhet të jenë dhe vetë pjesë e këtyre iniciativave, pasi kënaqësinë që të jep kjo lloj pune nuk ta jep as paraja dhe asgjë tjetër”.

I dalluar për modestinë e tij, Dervishi shprehet se “dua të jem sa më i thjeshtë, që dhe tek të tjerët të përçoj një impakt sa më pozitiv, për t’i treguar të tjerëve që nuk është paraja që bën diferencën, por janë gjestet njerëzore që e kapërcejnë paranë”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.