Grabitja në Rinas, mbetet në qeli dhe Rakip Hajdini

TIRANË, 30 prill/ATSH/- Rakip Hajdini shtetasi i pestë i ndaluar për grabitjen në Rinas ka dalë të martën para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tij.

Ragip Hajdini u mbrojt nga avokati Mirash Ndoci. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe fillimisht trupa gjykuese u njoh me gjeneralitetet e të pandehurit dhe më tej me dosjen e paraqitur nga prokuroria që kërkoi vijimin e qëndrimit në qeli të Hajdinit, të dyshuar si një nga autorët e grabitjes në Aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas më datën 9-prill. Para grupit hetimor, Hajdini nuk ka dhënë sqarime lidhur me rolin e tij në grabitjen e disa miliona eurove të datës 9 prill në aeroportin e Rinasit. 50-vjeçari nga Peja e Kosovës i njohur dhe me pseudonimin “daja nga Kosova” dyshohet se ka siguruar furgonin që u modifikua në Elbasan, duke i vendosur mbishkrimin “Hetimi Tatimor”.

Trupa gjykuese pasi u tërhoq për vendim pranoi kërkesën e organit të akuzës, duke lënë në qeli Rakipin, që u ndalua të premten pasdite nga Policia e Shtetit në Durrës.  Policia e Shtetit vuri në pranga Hajdinin pas dëshmisë së Alkond Bengasit, i cili deklaroi para hetuesve se ishte një shqiptar i Kosovës që shoqërohej me Admir Muratajn.

Lidhur me këtë rast policia shqiptare ka bashkëpunuar dhe me autoritetet kosovare duke shkëmbyer informacione, nga ku ka rezultuar se Hajdini është me precedent të mëparshëm kriminal.

Për grabitjen në Rinas deri më tani janë arrestuar Elton Pikli, Oltjon Veseli, Alkond Bengasi, Renaldo Sula dhe Saimir Çela. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.