Gjirokastër/ Qafa e Pazarit, kantieri një vlerë e shtuar edhe për komunitetin e rinj të ustallarëve

TIRANË, 30 prill /ATSH A.ALLA / – “Qafa e Pazarit në Gjirokastër është një kantier i hapur por edhe një vlerë e shtuar dhe për komunitetin e rinj të ustallarëve të cilët mund të formohen duke ndihmuar mjeshtrat në terren”, tha ministrja e Kulturës Elva Margariti në raportimin para Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik.

“Turistët vijojnë të frekuentojnë Qafën e Pazarit dhe pse po bëhen punime ku shumë prej tyre ndalojnë për të ndjekur mjeshtërinë e skalitjes dhe rivënies së gurëve të kalldrëmit. Turistët qëndronin më gjatë pasi shikonin një dukuri të cilën në vendet e tyre nuk e kanë ndeshur, ku shumë prej tyre pyesnin dhe mjeshtrat për procedurën e restaurimit të kalldrëmeve”, u shpreh Margariti.

Ajo shtoi se ky është një projekt me Bankën Botërore. “Projekti do ketë procedura të cilat do zgjaten dhe pak pasi fazat janë të tilla ku duhet të përfundojnë më së miri e gjithë pjesa e ndërhyrjeve në qendër të qytetit. Kjo duhet të finalizohet sa më mirë dhe jo sa më shpejt”, tha ajo.

“Për sa i përket dypronësisë ky fenomen është i përhapur jo vetëm në Gjirokastër. Aty ku shikohet që ka një ndërveprim shtet dhe privat, atje ku ka një plan të qartë në ndërhyrje të tilla të gjata në gjithë qytetin kemi vënë re një qasje pozitive dhe këto konflikte zgjidhen. Paketat fiskale, ndihmat për hapjen e bujtinave në fshatra të ndryshëm ka sjellë një shtysë pozitive për të zgjidhur deri diku konfliktet në aspektin e pronësisë private”, tha ministrja e Kulturës Margariti. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.