FOTO/ Kthehet në identitet fshati piktoresk i Vunoit

– Goro: Në maj përfundojnë punimet-

TIRANË, 27 prill/ATSH/- Peizazhi mahnitës dhe arkitektura e veçantë e Vunoit, fshatit të vendosur në një nga pjerrësitë e vargmalit të Çikës, ka mahnitur vizitorët dhe turistët e shumtë vendas e të huaj.

Ky fshat me bukuri të rrallë po rilind falë investimeve që po kryhen për restaurimin e shtëpive të fshatit dhe qendrës së tij.

Këto punime po bëhen në kuadër të projekteve të integruara që Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton në bashkinë Himarë me financim të qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Europës.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, tha për ATSH-në se ““sipas të dhënave nga kompanitë përkatëse të zbatimit që implementojnë në terren dhe nga përfaqësues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit numri shtëpive të restauruara në këtë fshat arrin në 180”.

Goro u shpreh se “aktualisht punimet po ecin shumë mirë dhe restaurimi i qendrës historike dhe shtëpive pritet të përfundojë në fund të muajit maj”.

Sipas tij, punimet e ngelura përfshihen ne zonat jashtë qendrës historike dhe janë të pakta.
“Punimet përfshinë rregullimin e çative, fasadave, dritareve rrugëve të brendshme, kanalizimeve, ndriçimit, etj”, shtoi Goro.

Kreu i bashkisë së Himarës e vlerësoi këtë projekt si një punë shumë të madhe që po bëhet për kthimin e fshatrave historikë.

Qendra Historike e Fshatit Vuno është shpallur Qendër Historike me vendim të Këshillit të Ministrave më 20 janar 2016. Elementi më i spikatur i Qendrës Historike të Vunoit është pikërisht arkitektura e tij.

Arkitektura dhe pamja piktoreske e Vunoit i bëri mjaft përshtypje edhe shkrimtarit të njohur anglez Edward Lear, i cili nga vizita e tij në vitin 1848 shprehet: U habita nga madhësia, karakteri, rregulli dhe pastërtia e shtëpive në Vuno, të cilat ngjanin me ”Palazzi” të qyteteve italiane.

Ndërtimet shumë afër njëri-tjetrit, kanë krijuar një rrjetë të dendur rrugore. Kjo ka bërë që në mjaft raste të ngrihen banesa edhe mbi rrugë duke siguruar kalimin nëpërmjet qemerëve cilindrike.

Për të lehtësuar kalimin në kthesat e forta, qoshet e ndërtimeve zbuten me thyerjen karakteristike. Tipologjia e banesave është mjaft e larmishme, duke nisur me ato më të thjeshtat me kat e gjysmëkat, banesat e fortifikuara e deri tek komplekset ndërtimore. Elementët arkitektonikë të harqeve, qemerëve e qosheve të punuara janë përdorur mjaft dendur, duke u dhënë ndërtimeve pamje monumentale.

Vunoi ndahet nga deti me një rafshnaltë mbushur me ullishte e bimësi të pafund dhe pemë të tjera frutore që përbën një pasuri të vërtetë për banoret e tij dhe vizitorët e turistët e shumtë që e kanë kthyer Vunoin dhe zonën e bregut shqiptar jonian në një destinacion të aktraksionit të ri turistik.

Një vepër tjetër historike, në qendër të fshatit Vuno është edhe Kisha e Panajasë. Ajo  ngrihet këtu e dyqind vjet me parë dhe është një vlerë e shtuar e turizmit historik të kësaj zone. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.