FOTO/ Turistët polakë shijojnë mrekullinë e Kepit të Rodonit

TIRANË, 28 prill/ATSH/- Grupe turistësh nga Polonia frekuentuan sot kepin e Rodonit, duke shijuar jo vetëm natyrën e bukur dhe detin, por edhe pasuritë kulturore dhe historike të zonës.

Ata kanë ngritur kampingjet e tyre në mjediset e Kepit të Rodonit, ku
Agjencia e Zonave të Mbrojtura të Durrësit, që kujdeset për zonën, vë në dukje frekuentimin gjithnjë e më të shpeshtë të zonës nga turistët e huaj.

Kepi i Rodonit, vetëm pak kilometra larg nga Tirana, në formën e një trekëndëshi midis gjirit të Rodonit e atij të Lalzit, formon një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik.

Një perlë e natyrës, ku bluja dhe jeshilja shkrihen në një në thellësinë e Adriatikut, një bukuri ende e virgjër, që së fundmi po eksplorohet si destinacion njëditor për turistët. Vizitorët këtu mund të shijojnë ujin e kristaltë në qetësinë që panorama ofron, larg zhurmave të plazheve masive.

Në pjesën verilindore të Kepit shtrihet Kalaja e Rodonit, që daton që në shekullin XIV, një fortifikim i cili përbëhej nga një mur mbrojtës me gjatësi 100 m, e që shtrihej nga një breg i kepit në bregun tjetër.

/k.s/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.