Rama: Opozita pretendon se lufton për demokraci duke u bllokuar rrugën qytetarëve

TIRANË, 27 prill/ATSH-Maela Marini/ “Opozita mendon se duke bërë shfaqje rrugaçërie me bllokime rrugësh do të pengojnë rrugën e transformimit të Elbasanit dhe të Shqipërisë”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama nga Elbasani.

Kryeministri komentoi bllokimin e rrugës në Bradashesh nga disa protestues të opozitës, të cilët sipas tij “pretendojnë se me bllokimet e rrugëve po luftojnë për demokraci”.

“Ne patëm për fat të keq Saliun, e kemi akoma në grahmat e fundit, kur shfaqet në formën e pellgut me llum te rruga, me 50 ish-deputetë dhe pijanecë që bllokojnë rrugën dhe mendojnë se duke bërë shfaqje të tilla rrugaçërie do të pengojnë rrugën e transformimit të Elbasanit dhe të Shqipërisë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “nuk arrin ta kuptojë dot se si në shek XXI, në vitin 2019, një parti politike shfaqet rrugëve duke bllokuar mijëra qytetarë që duan të lëvizin për qëllimet e tyre dhe pretendojnë se me bllokimet e rrugëve po lufton për demokraci”.

Në vend që të ishin në parlament duke u përballur me qeverinë me ide, programe, argumente, Rama tha se “ata e kthyen parlamentin në një kopsht pa drekë duke luftuar me bojë, vezë dhe çizme”.

“Ata duhet të japin llogari përpara gjithë atyre që i dhanë votën, pasi ata nuk janë thjesht popull por janë shërbëtorë të popullit, dhe nuk mund ta përdorin popullin duke e nxjerrë rrugëve. Ata nxjerrin disa të verbër përpara që të përplasen me policinë dhe të nxijnë Shqipërinë në sytë e të gjithëve”, tha Rama, duke shtuar se “ata kanë shumë llogari për të dhënë dhe kjo u ka errësuar gjykimin”.

Duke folur për vendimin e PD-së, LSI-së dhe disa partive të tjera opozitare për të mos marrë pjesë në zgjedhje, Rama tha se “kemi bërë gjithçka kemi mundur të mos vinte dita që zgjedhjet të bëheshin pa pjesën më të rëndësishme të opozitës”.

Kryeministri kujtoi zgjedhjet e 2017, kur pavarësisht se gjithë partnerët ndërkombëtarë i dënuan publikisht, PS këmbënguli deri në fund sepse besonte se më e mira e vendit në atë moment ishte që ata të futeshin në zgjedhje”.

“Bëmë diçka që nuk e bën askush. I dhamë Lulit gjithçka kërkoi, gjysmën më të rëndësishme të qeverisë dhe drejtimin e gjithë agjencive më të rëndësishme shtetërore. Jo se demokracia është kopësht ku fëmija që bërtet më shumë merr lodrat që të pushojë, por sepse ishte momenti për të mirën e vendit që ne të sakrifikonim diçka nga pushteti ynë, që të mos paguante çmimin Shqipëria”, tha Rama.

Por sipas tij, Basha u mësua keq dhe kërkon prapë pushtet në tavolinë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.