UASHINGTON – SHBA-ja kërkon marrëveshje me Kinën dhe Rusinë për kontrollin e armëve

UASHINGTON, 26 prill /ATSH-AA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump ka dhënë udhëzim për kryerjen e përgatitjeve për një marrëveshje të re me Kinën dhe Rusinë mbi kontrollin e armëve, shkruan e përditshmja “Washington Post”.

Sipas këtij artikulli, ku përmenden burime zyrtare, thuhet se “Trump këtë udhëzim e ka dhënë me qëllim për të sjellë kufizime të reja për armët bërthamore të Rusisë që kanë mbetur jashtë marrëveshjeve”.

Përveç përfshirjes së kapacitetit bërthamor të Kinës për herë të parë në një marrëveshje të re pretendohet gjithashtu se në kuadër të këtyre punimeve të arrihet edhe konfirmimi i aftësive ushtarake strategjike të Pekinit.

Sipas këtyre burimeve theksohet se “po bëhen përpjekje që kjo marrëveshje të përgatitet në një mënyrë që të mos pasqyrojë mentalitetin e Luftës së Ftohtë”.

Udhëzimi në fjalë ka ardhur në një kohë kur Kina, Rusia dhe SHBA-ja kanë përshpejtuar armatosjen bërthamore, si dhe që në vitin 2021 përfundon afati i marrëveshjes “New START” të nënshkruar mes Uashingtonit dhe Moskës në vitin 2011.

Sipas “Washington Post”, “një marrëveshje e tillë mund të jetë një sukses shumë i madh diplomatik nga pikëpamja e SHBA-së, Kinës dhe Rusisë”. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.