Pjetri: Mungesa e bashkëpunimit nga bashkia dogji projektet për Shkodrën

TIRANË, 26 prill/ATSH/ – Mungesa e bashkëpunimit nga ana e bashkisë Shkodër ka bërë që një sërë projektesh të financuara nga qeverisja qendrore të mos realizohen në këtë qytet.

Prefekti i qarkut të Shkodrës, Valdrin Pjetri gjatë bashkëbisedimit të zhvilluar me qytetarët shkodranë në ciklin e takimeve “Bashkia që Duam”, theksoi se krerët e bashkive ndër vite nuk kanë bërë siç duhet punën e tyre në këtë zonë.

“Sot ne shkodranët kur ulemi nëpër tavolina themi që Shkodra ka qenë e bukur, Shkodra ka pasur futbolli, artin, kulturën etj. Po sot, ku jemi? Neve sot kemi mbetur duke kujtuar vetëm të kaluarën e Shkodrës, pasi ka 30 vite që shërbëtorët e qytetit nuk e bëjnë punën siç duhet. Nga ky moment që ne jemi këtu, në cilësinë e Prefektit të Qarkut Shkodër duke u marrë me punën e përditshme, me institucionet vendore dhe me institucionet e bashkisë, unë vë re se shumë projekte të Qeverisë shqiptare kanë mbetur në rrugë për gjëra tepër të vogla dhe burokratike, kjo është një fatkeqësi. Nga kjo mungesë e bashkëpunimit, nga kjo mungesë e mbrojtjes së projektit në qeverisjen qendrore, shumë projekte nuk janë realizuar në Shkodër. Kështu kemi një rrugë më pak, një urë më pak një aktivitet më pak, dhe çfarë është më e rëndësishmja, më pak shpresë për të nesërmen. Bashkojuni nismës tonë për “Bashkinë që Duam”, në mënyrë që të kemi më pak emigrim në të ardhmen dhe më shumë kthime në vend”, – theksoi ai.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.