Në 30 qershor marrim drejtimin e bashkisë, ide të qarta për të zhvilluar Shkodrën

TIRANË, 26 prill/ATSH-Maela Marini/ “Na ndan pak kohë nga dita që Partia Socialiste do të marrë drejtimin e bashkisë së Shkodrës”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama nga Shkodra.

Në takimin me banorët e Shkodrës, “Bashkia që duam”, Rama tha se “më në fund do të na jepet mundësia që të bëjmë për Shkodrën shumë më tepër se sa kemi mundur të bëjmë në kushtet kur e kemi pasur të pamundur të gjejmë një rrugë të arsyeshme bashkëpunimi me bashkinë e Shkodrës, por edhe për faktin se drejtimin e bashkisë Shkodër e ka marrë prej shumë e shumë vitesh mungesa e vizionit dhe ideve ndaj Shkodrës”.

Në Shkodër, tha Rama, ka një boshllëk të madh, që është mbushur gjatë gjithë kohës me propagandë, llafe e politikë, por nuk ka arritur dot të mbushë gropat në shumë rrugë të Shkodrës dhe të adresojë shumë çështje prej shumë vitesh në gjithë këtë territor të bekuar.

“Më vjen shumë mirë po ashtu, sepse ne kemi një ide shumë të qartë se si mund të zhvillohet shumë më shpejt dhe më mirë Shkodra. Kemi një ide shumë të qartë se si të kanalizojmë shumë më tepër investime dhe mund të përputhim investimet në nivelin kombëtar me ato në nivelin lokal”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.