Fundjava e Pashkëve, fluks udhëtarësh në Portin e Durrësit

TIRANË, 26 prill/ATSH/ – Në prag të ditës së Pashkëve, në portin e Durrësit kanë mbërritur 2-3 herë më shumë udhëtarë se sa në ditët e zakonshme.

Nga të dhënat operative të Autoritetit Portual Durrës, mësohet se 32.430 udhëtarë me 5960 autovetura kanë shfrytëzuar lëvizjen me tragete vajtje-ardhje që nga fillimi i këtij muaji.

Por numri më i madh ditor i tyre është shënuar në lundrimin e trageteve Bari-Durrës dhe Ankona-Durrës gjatë periudhës 19-21 prill, në vigjilje të ditës së Pashkëve.

Sipas të dhënave gjatë tre ditëve të fundjavës së kaluar në Durrës kanë mbërritur me tragete 4764 udhëtarë me 1027 autovetura gjithsej.

Gjatë ditëve të javës në Durrës mbërrijnë mesatarisht me tragete 400-700 udhëtarë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.