Basha: Në 30 qershor nuk do të lejojmë një tjetër krim elektoral

TIRANË, 26 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka mbledhur sot pasdite kryesinë e Partisë Demokratike, ku gjatë mbledhjes theksoi se në zgjedhjet e qershorit nuk do të lejojë një tjetër krim elektoral.

“S’do të ketë asnjë minutë paqe për Edi Ramën derisa të largohet e t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ky është vendimi i mbledhjes së përbashkët së kryesisë dhe ish-deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët do të jenë në krye të mobilizimit të qytetarëve në protestë kundër qeverisë”, – u shpreh Basha.

Kreu i PD tha se “koha kur në Shqipëri Edi Rama dhe kriminelët e tij diktonin zgjedhjet ka marrë fund njëherë e mirë. Ne do të jemi në krye të protestave të qytetarëve, derisa të fitojmë betejën europiane dhe demokratike për të mos lejuar krimin elektoral të 30 qershorit. Ne jemi të gatshëm të sakrifikojmë çdo gjë për të mos lejuar që në 30 qershor të ketë një krim tjetër elektoral si ai i 2017-ës. Koha kur populli shkonte në burg dhe kriminelët në qeverisje, ka marrë fund. Politikanët e lidhur me krimin do të shkojnë në burg dhe populli do të çlirohet nga krimi dhe korrupsioni. Përballja do të jetë në çdo qytet, në çdo shesh dhe rrugë të vendit, për të kulmuar në 11 maj në protestën kombëtare përpara Kryeministrisë”.

/m.z/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.