Soreca takim me partitë e vogla, Mediu: Meta të mbledhë në tryezë palët politike

TIRANË, 25 prill/ATSH/ – Pesë kryetarët e partive opozitare PR, PPA, PBDNJ, PDK dhe LZHK kanë zhvilluar mesditën e sotme një takim me ambasadorin e Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca.

Në përfundim të takimit disa prej krerëve të këtyre partive folën edhe për mediet, ku kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu theksoi se partitë opozitare do t’i kërkojnë Presidentit të Republikës, Ilir Meta që të thërrasë një tryezë me përfaqësues të pozitës dhe opozitës për zgjidhjen e krizës politike në vend.

“Ne do t’i kërkojmë Presidentit të Republikës që të thërrasë një tryezë të pozitës dhe opozitës për të zgjidhur këtë situatë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Çdo gjë tjetër do të ishte shkatërruese për vendin. Soreca dhe të gjithë janë në mbështetje të dialogut. Të arrijmë të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe përfaqësimin e të gjithë subjekteve politike. Çdo lojë tjetër do të ishte shkatërruese për vendin dhe në këtë moment ne si forca politike mendojmë se është përgjegjësia jonë që të negociojmë me të gjitha palët dhe institucionet që duhet ta mundësojnë këtë dialog. Kështu kemi vepruar me OSBE, i kërkuam ambasadorit Soreca dhe jemi vlerësues që ai pranoi të diskutojë me ne dhe të shikojmë një hapësirë për të mbështetur një dialog të vlefshëm për interesat e vendit”, – theksoi Mediu.

Në të njëjtën linjë ishte dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili theksoi se “jemi të vendosur që me të gjitha mjetet dhe mënyrat që na imponon demokracia të aktivizojmë çdo qelizë të shoqërisë”.

“Grupimi i partive të qendrës së djathtë kanë nisur një aktivitet që është një vlerë e shtuar në aksionin e përbashkët opozitar siç u nënshkrua para dy ditësh me PD. Boshti kryesor është shërbimi i axhendës opozitare që ka për synim që përfundimisht në vendin tonë të shkulet rrënja e së keqes që ka sjellë cikle të njëpasnjëshme krizash politike dhe për rrjedhojë edhe ekonomike dhe shoqërore. Jemi të vendosur që me të gjitha mjetet dhe mënyrat që na imponon demokracia të aktivizojmë çdo qelizë të shoqërisë, por në të njëjtën kohë të sensibilizojmë të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë me qëllim që zgjidhja të vijë sa më shpejt dhe me sa më pak kosto”, – theksoi ai.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.