SHBA – FB përgatitet për një gjobë 3 miliardë dollarë për problemet me privatësinë

UASHINGTON, 25 prill /ATSH-DPA/ – Kompania Facebook po bëhet gati për një gjobë prej 3 miliardë dollarësh nga qeveria amerikane për shkak të skandalit për problemet me mbrojtjen e privatësisë së përdoruesve.

Gjoba e parashikuar është pasqyruar në deklaratën e fitimeve të kompanisë për tremujorin e parë të vitit 2019, që u publikua në media.

“Në tremujorin e parë të vitit 2019, ne vlerësuam në mënyrë të arsyeshme një humbje të mundshme dhe regjistruam një shumë prej 3 miliardë dollarësh në lidhje me hetimin e Komisionit Federal të Tregtisë, për platformën tonë dhe praktikat e të dhënave të përdoruesit”, thuhet në deklaratë.

Hetimi federal nisi pas skandalit të Cambridge Analytica, i cili përfshinte shkelje të dekretit të miratimit mbi privatësinë e përdoruesit.

Kompania vlerëson se shkalla e humbjes për shkak të shkeljeve të privatësisë mund të jetë nga 3-5 miliardë dollarë.

“Çështja ngelet e hapur dhe nuk dihet me siguri kur dhe si do të përfundojë”, thuhej në deklaratë.

Facebook raportoi se humbja me 3 miliardë dollarëve uli fitimet për tremujorin e parë në 2,43 miliardë dollarë krahasuar me 5 miliardë të të ardhurave të së njëjtës periudhë vitin e kaluar.

‘’Kishim një tremujor të mirë, biznesi dhe komuniteti ynë vazhdon të rritet’’, theksoi Mark Zuckerberg, themeluesi i kompanisë dhe drejtori i përgjithshëm./ /esko/ /os/ a.jor.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.