Përzgjidhen tre kandidatët e Shqipërisë pranë Komitetit Europian për Parandalimin e Torturës

TIRANË, 25 prill /ATSH/ – Arta Mandro, Helena Papa dhe Aurel Borici janë tre kandidatët që do t’i përcillen Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për të vazhduar më tej procesin e përzgjedhjes së anëtarit të Shqipërisë pranë Komitetit Europian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor ose Degradues (CPT).

Nënkomisioni parlamentar “Për të Drejtat e Njeriut” së bashku me Delegacionin e Përhershëm të Kuvendit të Shqipërisë pranë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës u mblodhën sot për të vijuar procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtar të Shqipërisë pranë Komitetit Europian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor ose Degradues (CPT).

Anëtarët e Nënkomisionit dhe Delegacionit pasi u njohën me relacionin e përgatitur nga paneli i ekspertëve të Kuvendit për vlerësimin e kushteve dhe kritereve ligjore të kandidatëve, vlerësim ky i mbështetur në dokumentacionin e paraqitur prej tyre dhe seancave dëgjimore të zhvilluara në datat 12 dhe 15 prill 2019 si dhe relacionin e paraqitur nga pedagogët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja mbi nivelin e njohjes së gjuhës së huaj nga kandidatët, miratuan listën me tre kandidatët, Arta Mandro, Helena Papa dhe Aurel Borici.

Lista e votuar do t’i përcillet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për të vazhduar më tej procesin e përzgjedhjes së anëtarit të Shqipërisë pranë Komitetit Europian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor ose Degradues (CPT).

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.