Moses-Ones: Policia shqiptare, një nga organizatat më të mira policore në Europë

TIRANË, 25 prill /ATSH/ – E ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones deklaroi sot se, “Policia e Shtetit në Shqipëri vazhdon të ndërtojë një emër si një nga organizatat më të mira policore në Europë”.

Duke folur në seminarin “Përdorimi terrorist i teknologjisë”, Moses-Ones veçoi të gjitha përpjekjet e bëra nga Policia e Shtetit. “Ju treguat profesionalizëm, guxim për të mbrojtur qytetarët që ju i shërbeni. Kjo është jetike për zhvillimin e shoqërisë dhe kjo është pozitive në luftën kundër krimit”, – tha ajo.

“Kjo është një kohë e rëndësishme për sundimin e ligjit dhe sigurinë rajonale. Është e mrekullueshme të shohësh drejtues të nivelit të lartë të zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe zbatues të cilët janë përgjegjës për zbatimin e operacioneve dhe zbatimin e ligjit të marrin pjesë në seminarin e sotëm përdorimi terrorist i teknologjisë”, – tha Moses-Ones.

“SHBA mbeten të fokusuara në nxitjen e sigurisë rajonale dhe një ndër mjetet kryesore është ndihma në sundimin e ligjit. Programi i trajnimit i asistencës antiterror në Shqipëri është një program 1.3 milionë dollarësh për të mbështetur këto fusha përpjekjesh. Gjatë 8 muajve të fundit janë kryer 5 kurse trajnimi kundër terrorizmit me fokus hetimet terroriste dhe hetimet kibernetike”, – tha Moses-Ones.

“Ky seminar dyditor do të ndihmojë në sigurimin e kornizës potenciative të ligjeve dhe politikave që politikëbërësit të marrin në konsideratë kur veprojnë dhe ndjekin penalisht terroristët”, nënvizoi ajo.

“Institucionet shqiptare kanë bërë një punë mbresëlënëse gjatë viteve të fundit në ndërtimin e kapaciteteve të tyre për të luftuar terrorizmin. Ne e dimë që asnjë vend nuk ka imunitet nga terrorizmi. Kohët e fundit policia shqiptare arrestoi një individ të rrezikshëm të lidhur me terrorizmin. Kjo tregon një rritje të jashtëzakonshme në zhvillimin e aftësive që mund ti atribuohet trajnimeve të kohëve të fundit të marra nga drejtoria e antiterrorit për hetimin e terrorizmit. Shpresojmë të vazhdojmë të ndihmojmë Policinë e Shtetit shqiptar që të ndërtojë mbi këtë trajektore suksesi”, – tha Mose-Ones.

Teknologjia vazhdon të luajë një rol kritik në aktivitetet terroriste, u shpreh ajo, duke falenderuar më tej Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Policinë e Shtetit shqiptar për punën që kanë bërë kundër të gjitha formave të krimit dhe terrorizmit.

“Presim me kënaqësi të vazhdojmë angazhimin dhe bashkëpunimin me ju në këto çështje, si dhe ju urojmë suksese të vazhdueshme, pasi Policia e Shtetit në Shqipëri vazhdon të ndërtojë një emër si një nga organizatat më të mira policore në Europë”, tha E ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones. /gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.