SKOCI – Kryeministrja skoceze kërkon një tjetër referendum mbi pavarësinë

EDINBURG, 24 prill /ATSH-AFP/ – Qeveria skoceze do të paraqesë shumë shpejt një projektligj që synon organizimin, deri në vitin 2021, të një referendumi të ri mbi pavarësinë e Skocisë, deklaroi sot kryeministrja skoceze, Nicola Sturgeon.

“Shumë shpjet do të paraqesim një projektligj që do të përcaktojë rregullat për çdo referendum që kërkon aktualisht apo në të ardhmen kompetencat e Parlamentit skocez”, deklaroi Sturgeon, kryetare e Partisë Nacionaliste Skoceze (SNP) në Parlamentin skocez në Edinburg, duke shpresuar që ky ligj të miratohet deri në fund të vitit.

Skocezët kanë votuar më parë mbi pavarësinë e kombit të tyre në shtator 2014 dhe “jo” fitoi me 55% të votave.

Por SNP-ja ende nuk e ka braktisur këtë objektiv, sidomos pas rezultatit të referendumit mbi Brexit (largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja) në qershor 2016.

Skocia gjatë këtij referendumi kishte votuar kundër Brexit me 62% të votave, ndryshe nga Britania e Madhe në tërësi që kishte votuar në masën 52% pro ndarjes. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.