Qato: Brenda korrikut të këtij viti përfundon rehabilitimi i rrugës Klos-Burrel

TIRANË, 24 prill/ATSH/ – Rehabilitimi i aksit rrugor Klos-Burrel do të jetë gati dhe plotësisht i kalueshëm për drejtuesit e automjeteve brenda muajit korrik të këtij viti.

Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato pas shqetësimeve të ardhura nga ana e banorëve të zonës, ka zbritur ditën e sotme në kantierin e punimeve të këtij aksi me deputeten Xhembulla dhe inxhinierin e firmës kontraktore, duke parë nga afër edhe ecurinë e punime për rehabilitimin e këtij aksi.

“Bazuar në shqetësimin e shumë banorëve si dhe në implementimin e një projekti i cili tashmë është nisur si një pjesë e një projekti për mirëmbajtjen dhe sigurinë rrugore, pra siç është Burrel-Klos, kanë filluar punimet për rehabilitimin e kësaj rruge. Bëhet fjalë për rehabilitimin dhe rikonstruksionin e 18.6 kilometrave rrugë në këtë aks, duke sistemuar lëvizshmërinë e mjeteve, si dhe sigurinë rrugore. Marrim përsipër që deri në korrik të këtij viti këto punime të përfundojnë. Kontraktori ka marrë përsipër që të punojë me intensitet të plotë”, – shprehet Qato.

Punimet e nisura në këtë segment rrugor me gjatësi 18,6 km, janë pjesë e parashikimeve në kuadër të implementimit të Projektit “Mirëmbajtja dhe Siguria Rrugore Bazuar në Rezultate”, financim i Qeverisë së Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën Botërore, dhe kanë nisur në tetor 2018.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.