Nënshkruhet marrëveshja për ngritjen e njësisë për Digjitalizimin e Trashëgimisë Kulturore

TIRANË, 24 prill /ATSH/ U nënshkrua sot Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Ministrisë së Kulturës për ngritjen e Njësisë për Digjitalizimin e Trashëgimisë Kulturore në kuadër të projektit të financuar nga AADF “Të fuqizojmë muzetë nëpërmjet teknologjisë, për një qasje më të gjerë për të gjithë”.

Gjatë ceremonisë, kryetari i bordit të AADF-së Michael Granoff dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, theksuan fokusin e veçantë që duhet të ketë procesi i digjitalizimit për trashëgiminë kulturore dhe muzetë në kuadër të kërkimit shkencor, konservimit, promovimit dhe edukimit.

Njësia për Digjitalizimin e Trashëgimisë Kulturore, e cila do të integrohet pranë Qendrës Rajonale të Restaurimit dhe Konservimit të Europës Juglindore, do të ofrojë bazën e njohurive dhe infrastrukturën digjitale, si zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme për dokumentimin digjital të trashëgimisë kulturore në Shqipëri. /m.z/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.