Manastirliu: Vaksinat e fëmijëve të sigurta dhe efektive, kemi mbulesë vaksinale 98%

TIRANË, 24 prill/ATSH-Megi Zonja/ – Kontrolli i barnave është një nga prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ministrja Ogerta Manastirliu gjata një interviste televizive theksoi se të gjitha institucionet e varësisë kanë instrumentet për verifikimin e cilësisë së tyre.

“Çështja e cilësisë së barnave është prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve që verifikojnë cilësinë e tyre. Të gjithë institucionet përkatëse kanë instrumentet e tyre për të verifikuar cilësinë e barnave në vendin tonë. Në disa raste informacionet për barnat kanë qenë jo të sakta dhe spekulative. Jemi duke investuar në ndërtimin e një laboratori për verifikimin e cilësisë së barnave që vijnë në Shqipëri. Barnat që vijnë në Shqipëri kanë të gjitha certifikatat që vërtetojnë cilësinë e tyre. Në rastet e konstatimit të abuzimit me barnat kalohet në proceset e ndjekjes penale. Kemi më shumë se 1 mijë alternativa mjekësore në listën e barnave. Po verifikojmë të gjitha depot farmaceutike dhe farmacitë për kushtet e mbajtjes së barnave. Kur konstatohen parregullsi merren masa nga gjobë, në ndjekje të mëtejshme nga organet e ligjit”, – theksoi Manastirliu.

E pyetur rreth skepticizmit të prindërve për të vaksinuar fëmijët e tyre, Manastirliu theksoi se vaksinat janë cilësore dhe veprojnë, dhe se sistemi i mbulimit të vaksinave është vlerësuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Vaksinat jane cilësore dhe veprojnë. Sistemi i mbulimit me vaksina është vlerësuar edhe nga OBSH. Kalendari i vaksinimit për fëmijët 0-14 vjeç ndiqet nga prindërit në sajë edhe të gjithë sistemit që kemi për bërjen e vaksinës. Kemi mbulesë vaksinale 98%. Kemi mbulim të mirë me vaksinat, ato nuk duhet të neglizhohen. Vaksinat mbrojnë fëmijët dhe shoqërinë. Procesi i imunizimit garanton më pas një jetë të shëndetshme”, – theksoi ajo.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.