FOTO/ Pazari i Krujës, rijetësohen 6 dyqane

TIRANË, 24 prill/ATSH/- Pazari i Krujës, i ndodhur në të dy anët e rrugës me kalldrëm që të çon drejt kalasë së qytetit, është një ansambël që ruan vlera të padiskutueshme historike dhe arkitektonike.

Instituti i Monumenteve të Kulturës bën të ditur se “në këtë pazar kanë përfunduar ndërhyrjet restauruese dhe mobilimi i brendshëm i 6 dyqaneve. Këto punime u realizuan me investim të Fondacionit Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim”.

Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë konsultuar dhe monitoruar në mënyrë të vazhdueshme ecurinë punimeve.

“Projekti kishte për qëllim përmirësimin e infrastrukturës së brendshme dhe organizimin e pjesës së brendshme në mënyrë sa më efikase, duke pasur në vëmendje trajtimin e materialit bazë dhe përfaqësues të këtij ansambli, materialin e drurit”, thekson IMK.

Sipas IMK-së, aplikimi i këtyre projekteve pilot, ka për qëllim krijimin e modeleve të suksesshme të bizneseve, të cilat janë pjesë e pazareve të vjetra, jo vetëm në Krujë por edhe në vende të tjera si Korça, Gjirokastra.

Pazari është zemra e Krujës, një vend i gjallë, plot me suvenire të bukura ku është e pamundur të mos ndalosh gjatë një vizite në qytet. Një seri e vazhdueshme e çative me tulla, dyqaneve prej druri dhe guri, qilima me modele gjeometrike tipike të Ballkanit, rrugët me kalldrëm dhe pamjet piktoreske: një mrekulli.

Përveç magneteve klasike të frigoriferit, aty mund të bëni blerje artizanale interesante, siç janë artikujt shtëpiakë, bizhuteritë, mbulesat e tavolinës dhe qilimat, shumë prej të cilave janë të punuar me dorë (në disa dyqane mund të shihni edhe përpunimin e pëlhurave në kornizë).

Tregu u rinovua në vitin 2015, në fakt është i patëmetë nga ana arkitekturore, i pastër dhe i rregullt. Duke ecur përgjatë rrugës së gurit që të çon në kështjellë dhe në muzeun e Skënderbeut do të ndiheni sikur të jeni katapultuar mbrapa në kohë. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.