FOKUS – Tensione në koalicionin qeverisës italian

ROMË, 24 prill /ATSH-DPA/ – Tensionet ndërmjet partive qeverisëse të Italisë kanë arritur kulmin në një takim të kabinetit gjatë natës së kaluar duke shkaktuar dyshime mbi një krizë të afërt politike në qeverinë e koalicionit populist.

Lidhja e ekstremit të djathtë (Lega Nord) dhe Lëvizja anti-establishment Pesë Yjet (L5Y) grinden prej muajsh, por fërkimet mes tyre janë rritur në prag të zgjedhjeve europiane të majit.

Në takimin e fundit të kabinetit, që u zhvillua dje në mbrëmje, Lega Nord vuri veton ndaj një pakete ndihme financiare për qytetin e Romës, e cila ka për kryebashkiake një anëtare të L5Y.

Të përditshmet e njohura italiane ”Il Messaggero” dhe ”Corriere della Sera” folën për një “luftë” ose “luftime” mbi masën e ashtuquajtur “Save-Rome” (”Shpëtoni-Romën”), ndërsa gazeta ”La Stampa” tha se ”qeveria është duke u lëkundur”.

Pas takimit të kabinetit, L5Y-ja tha se masat e lehtësimit të borxhit për Romën ishin vetëm “gjysmë të miratuara”.

Udhëheqësi i Legës, Matteo Salvini, i cili është gjithashtu zëvendëskryeministër dhe ministër i Brendshëm, ka argumentuar se Roma nuk duhet të marrë ndonjë trajtim preferencial krahasuar me komunat e tjera të ngarkuara me borxhe./  /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.