Ecejaket për regjistrimin e banesës, qytetari Safet Meta gjen zgjidhje te “Shqiperiaqeduam.al”

TIRANË, 24 prill/ATSH/ – Safet Meta ka regjistruar legalizimin e banesës së tij pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të  Pasurive pas një kalvari të gjatë ecejakesh nga zyra e Hipotekës te ALUIZNI dhe më gjerë. Pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes “Shqiperiaqeduam.al”, qytetari Meta arriti t’i japë zgjidhje problemit të tij në një kohë mjaft të shpejtë.

“Sinqerisht kam qenë skeptik në fillim. E bëra fillimisht me idenë se po e bëj këtë provë, po s’kisha besim se do ecte. Aplikova dhe më erdhi përgjigja menjëherë. Unë isha zvarritur sa nga Hipoteka sa nga ALUIZNI. Dhe më në fund falë platformës zgjidha hallin. Dhe ju falënderoj që na dhatë mundësinë për të pasur këtë hapësirë, këtë platformë pasi nuk do e kisha marrë kurrë certifikatën e pronësisë”, – tha Meta.

Qytetari nga Tirana kishte aplikuar për regjistrimin e legalizimit të banesë së tij pranë zyrës së regjistrimit të pasurive në Tiranë. Por, për shkak të një mangësie në dokumentacion, Zyra e Hipotekës Tiranë e kishte kthyer te ALUIZNI. Ky i fundit pretendonte se dokumentacioni ishte i rregullt dhe kësisoj e kthente te Hipoteka. Duke parë këtë sorollatje, Meta aplikoi te bashkëqeverisja në fund të shkurtit dhe gjeti zgjidhjen e problemit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.