Bardhi: PD, e vendosur për të pamundësuar zgjedhje false në Shqipëri

TIRANË, 24 prill/ATSH/ “Partia Demokratike është e vendosur për të pamundësuar zgjedhje false në Shqipëri”, deklaroi sot Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

I ftuar në një studio televizive, Bardhi komentoi edhe krijimin e Partisë Bindja Demokratike.

Sipas tij, “që të quhesh parti opozitare duhet të kesh aktivitet që të konsiderohesh e tillë”. “Pasi të kesh krijuar partinë, gjatë qëndrimeve që mban në aktivitetin tënd politik, identifikohesh si opozitare apo qeveritare. Opozitar të bën vetëm veprimtaria politike. Sa për pjesëmarrjen në zgjedhje, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, kjo parti nuk merr dot pjesë në zgjedhje, sepse nuk është regjistruar akoma në gjykatë, ndërkohë që afati i regjistrimit të partive politike për të marrë pjesë në zgjedhje ka përfunduar dje”, tha ai.

Bardhi shprehu bindjen se “me krijimin e kësaj partie nuk ka për të pasur asnjë rrudhje të PD-së”. /m.m/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.