Arbanasit e Zarës, kontribut në forcimin e marrëdhënieve me Kroacinë

TIRANË, 24 prill/ATSH/- Presidenti Ilir Meta priti sot një grup nga arbanasit e Zarës (Zadarit) në Kroaci, të cilët ndodhen për një vizitë disaditore në Shqipëri.

Pasi i falënderoi për vizitën, Presidenti Meta vlerësoi kontributin e shkëlqyer që komuniteti shqiptar në Kroaci ka dhënë dhe vazhdon të japë për forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera historike, kulturore, politike dhe njerëzore mes dy popujve dhe vendeve tona.

“Jam shumë i lumtur që keni ardhur në Shqipëri, sepse ende i kam të gjalla ato përshtypje të shkëlqyera nga mikpritja juaj në Zadar. Ka qenë një vizitë e mrekullueshme për mua, por edhe për Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović, të cilën e falënderoj edhe njëherë për praninë e saj në atë vizitë”, – tha Presidenti, duke theksuar se marrëdhëniet tradicionale mes shqiptarëve dhe kroatëve janë shembull për popujt e tjerë në Ballkan.

Sipas tij, arbanasit e Zadarit, por edhe komuniteti shqiptar në tërësi që jeton në Kroaci, janë faktori më i fortë njerëzor që bashkon popujt tanë.

“Marrëdhëniet me Kroacinë janë një prioritet i jashtëzakonshëm dhe tani që kemi nënshkruar dhe Marrëveshjen e Partneritetit Strategjik midis dy vendeve jam i bindur se ato do të forcohen edhe më shumë”, – theksoi Meta.

E pranishme në takim ishte dhe Ambasadorja e Kroacisë në Tiranë, Sanja Bujas-Juraga, e cila gjatë fjalës përshëndetëse theksoi se ky takim i jep një impuls të ri marrëdhënieve historike mes vendeve e popujve tanë. “Shqipëria është një vend shumë i dashur për mua, i përkryer dhe padyshim një destinacion i jashtëzakonshëm turistik”, tha ajo.

Delegacioni i arbanasve të Zarës (Zadarit) ka mbërritur në Shqipëri me ftesë të presidentit Meta, i cili gjatë vizitës zyrtare të zhvilluar vitin e kaluar në Kroaci i ftoi arbanasit e Zarës (Zadarit) të vizitojnë vendin e të parëve të tyre. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.