Turistët amerikanë, 74% më shumë në muajin mars

TIRANË, 23 prill /ATSH/ – Shqipëria është në start të çeljes së sezonit të ri veror, ndërsa fluksi i turistëve të huaj përvijon të rritet dhe nga tregje të reja si Amerika e largët.

Instituti i Statistikave bën të ditur se, gjatë muaj mars 2019, u shënua një rritje e ndjeshme e hyrjes së shtetasve amerikanë në vendin tonë. Krahasuar me muajin mars të vitit të kaluar që shënonte hyrjen e 3870 vizitorëve, në marsin e këtij viti kjo shifër është rritur në 6741 vizitorë amerikanë, duke evidentuar kështu një rritje të madhe me rreth 74%.

Sipas INSTAT rritja ka qenë e ndjeshme gjatë muaj mars dhe për turistët nga shtete të tjera si Maqedonia e Veriut, Greqia, Zvicra dhe Polonia.

Ndërkohë që për këtë periudhë shënohet që kanë hyrë në territorin shqiptar rreth 1861 shtetas anglezë, 2707 gjermanë dhe 494 spanjollë. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.