“Maratona e Leximit” bashkon në COD 400 nxënës të kryeqytetit me artistë e politikanë

TIRANE, 23 prill/ATSH/- Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, COD u kthye në një qendër të hapur komunikimi, në një maratonë leximi, ku morën pjesë 400 nxënës të shkollave të Tiranës.

Duke nisur nga ora 11:00 – 22:00 lexuan në COD që nga Kryeministri Edi Rama, e deri tek emra të njohur si Lorik Cana, Gazmend Paja, Ema Andrea, Eridana Çano, Mirela Kumbaro, Niko Peleshi.

Ata u përfshinë në këtë maratonë, e cila përfshiu audienca të moshave nga 7-18 vjeç, me lexime, takime dhe diskutime për librin.

Nxënës nga gjimnazet: “Sandër Prosi”, “Faik Konica”, “Sami Frashëri”, “Andon Zako Çajupi”, “Petro Nini Luarasi” dhe nxënësit e shkollës “Kosova” u bënë pjesë e këtij aktiviteti sa të veçantë, po aq edhe sensibilizues.

Edukimi Përmes Kulturës është një nga prioritetet e programit të qeverisë shqiptare, nisur që në mandatin e parë.

“Maratona e Leximit” organizuar në Ditën Ndërkombëtare të Librit ndërgjegjëson të rinjtë për rëndësinë e leximit, me qëllim rritjen e lexuesit të së ardhmes.

Në këto pesë vite, në politikat e librit fokusi ka qenë lexuesi, ndërgjegjësimi i qytetarëve e në veçanti i lexuesit të ri për rëndësinë e leximit, duke e konsideruar atë si çelësin kryesor në zhvillimin personal, kulturor dhe social. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.