Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kantieret e transformimit të Fierit

TIRANË, 23 prill /ATSH-Maela Marini/ – I kthyer në një kantier të madh ndërtimi, Fieri sot po pëson ndryshime të pakrahasueshme për dekada me radhë.

Qendra e Fierit po transformohet në një hapësirë të re publike, ndërsa lumi Gjanica, do të jetë pjesë integrale e qendrës së re të qytetit të rilindur.

Duke u ndalur te ecuria e punimeve në këto dy projekte, kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi publikoi pamje që dëshmojnë transformimin që po kryhet.

“Për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të shohin përparimin e punëve në qytet dhe më pyesin se ç’bëhet me qendrën e qytetit dhe lumin Gjanica. Për ata dhe për këdo që e ka këtë interes, kjo është një përmbledhje që do i japë përgjigje pyetjeve dhe do të shuajë paksa kuriozitetin”, – u shpreh Subashi ndërsa publikoi një video nga kantieri i punimeve në Fier.

Investimet infrastrukturore për rehabilitimin e lumit Gjanica dhe qendrën e qytetit, përkthehen në transformime të mëdha urbane me impakt afatgjatë për bashkinë e Fierit.

Rehabilitimi i lumit Gjanica, që për çerekshekulli ishte kthyer në burim plehrash e përmbytjesh për qytetin e Fierit, mbetet projekti më madhor i zbatuar në këtë qytet.

Punimet kanë hyrë në një fazë intensive dhe brenda këtij viti, ky projekt do t’i bashkohet hartës së madhe të ndryshimeve në Fier, duke transformuar përfundimisht edhe dimensionin urbanistik të qytetit.

Sipas projektit, janë dy ura mbi lumin Gjanica, ku njëra duket se do të jetë vetëm për këmbësorët. Ndërsa në të gjithë hapësirën e sheshit, do të ketë korsi të dedikuara për biçikletat në krah të trotuareve.

Po ashtu, sheshi ri i Fierit, do të ketë një parkim nëntokësor për të cilin po vijon puna me ritme të larta, me akses në të dy ekstremet e sheshit.

Rehabilitimi i Gjanicës synon valorizimin e brigjeve të lumit, përmes gjelbërimit dhe ndërtimit të ndërtesave publike për qëllime sportive-kulturore e të shërbimit dhe rehabilitimin selektiv sipas nevojave, të rrjetit infrastrukturor.

Paralel me këtë po punohet edhe për sistemimin e ujërave të zeza dhe ujërave të shiut në zonën e shtratit të lumit, rehabilitimin mjedisor të lumit dhe krijimin e një peizazhi rekreativ për shtratin e lumit.

Lumi Gjanica, dikur një mrekulli natyrore, për shumë vite u keqpërdor nga bizneset, të cilat e shndërruan atë në një vendgrumbullim plehrash dhe hidrokarburesh. Gjanica buron nga Mallakastra dhe përshkon qytetin e Fierit. Ai është degë e Semanit dhe buron nga pjesa jugore e malit të Shpiragut, përshkon gjithë trevën e Mallakastrës, kalon mes përmes qytetit të Fierit dhe derdhet në Seman, në afërsi të Mbrostarit. Gjanica ka një gjatësi prej 42 km. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version