Infrastruktura e pagesave, sisteme të sigurta dhe efikase

TIRANË, 23 prill /ATSH/- Banka e Shqipërisë i ka kushtuar vëmendje të veçantë garantimit të sigurisë dhe efikasitetit të infrastrukturës bazë të pagesave në lekë, si nëpërmjet rolit të saj si operator i sistemit, ashtu edhe nëpërmjet rolit si mbikëqyrës e katalizator.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha sot se, dy sistemet që operon Banka Qendrore, ai për pagesat me vlerë të vogël dhe ai për pagesat me vlerë të madhe në lekë, kanë funksionuar pa ndërprerje, me efikasitet dhe siguri.

“Gjatë vitit, BSH ka ndërmarrë një sërë masash për përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe rregullativ për mbikëqyrjen e sistemeve dhe të instrumenteve të pagesave. Ndryshimet synojnë të adoptojnë praktikat evropiane për nxitjen e inovacionit në fushën e pagesave dhe krijimin e hapësirave për iniciativa private”, – tha Sejko në Komisionin e Ekonomisë.

Sipas tij, një nga arritjet kryesore në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor është finalizimi i projektligjit “Për shërbimet e pagesave” (PSD2), i cili realizon transpozimin e direktivës përkatëse të Bashkimit Europian. Miratimi dhe zbatimi i tij pritet të nxisë konkurrencën dhe inovacionin në fushën e pagesave me vlerë të vogël, të rrisë transparencën e këtyre shërbimeve dhe të ofrojë një kuadër për mbrojtjen e konsumatorit.

Ndërsa Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave, i cili kryesohet nga Banka e Shqipërisë dhe mbledh aktorë publikë dhe privatë me interesa në fushën e pagesave, miratoi Strategjinë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël në Shqipëri për periudhën 2018-2023. “Qëllimi i strategjisë është përmirësimi i tregut të pagesave me vlerë të vogël, nxitja e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave dhe zgjerimi i përfshirjes financiare të popullsisë. Zbatimi i strategjisë do të realizohet nëpërmjet përmirësimit të kuadrit ligjor e rregullator, nëpërmjet përmirësimeve infrastrukturore dhe nëpërmjet edukimit financiar”, – deklaroi Guvernatori Sejko. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.