Roskovec/ Investime në arsim, shëndetësi dhe banesa sociale

TIRANË, 22 prill/ATSH-Maela Marini/ Investimet në arsim, në shëndetësi dhe në banesa sociale në Roskovec, kanë ndikuar drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së komunitetit.

Në një intervistë për ATSH-së, kryetarja e bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi ndalet te këto investime që, janë kryer në Roskovec me fondet e buxhetit të shtetit.

Sa i takon investimeve në arsim, sipas saj, “është realizuar ndërtimi i palestrës dhe ambienteve sportive në shkollën ‘Alush Grepcka’ me vlerë 47 milionë lekë nga buxheti i shtetit”.

Po ashtu, Bufi veçoi rikonstruksionin e plotë dhe ndërtimin e palestrës për shkollën 9-vjeçare Velmish, Njësia Administrative Strum me vlerë 55 milionë lekë nga buxheti i shtetit.

Duke u ndalur te investimet në shëndetësi, kryebashkiakja e Roskovecit theksoi se “janë rehabilituar tre qendra shëndetësore në Roskovec, Strum dhe Kurjan nga Ministria e Shëndetësisë”.

“Tani bashkia po investon për sistemimin dhe rehabilitimin e ambientit të jashtëm në të treja godinat”, tha ajo.

Banesat sociale janë një tjetër ndërhyrje e rëndësishme në Roskovec që janë kryer falë fondeve nga buxheti i shtetit.

Kryetarja e bashkisë tha se falë këtij investimi është realizuar përmirësimi i kushteve të banimit në 17 banesa të familjeve në nevojë nga buxheti i shtetit me vlerë 13 milionë lekë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.