Pakti për Universitetin, studentët ekselentë të punësuar në Ministrinë e Arsimit

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Z.Tosku/Katër studentë ekselentë i janë bashkuar Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë pas aplikimit në platformën “punetembare.al”, në kuadër të Paktit për Universitetin.

Studentët ekselentë të punësuar me mesatarë mbi 9 si Rukije Lamçja, Aleksandra Kole, Anastasi Shakaj dhe Flori Kasaj, kanë nisur rrugëtimin në Ministrinë e Arsimit me dëshirën për të sjellë energjinë dhe njohuritë e tyre, e cila po reflektohet në përkushtimin dhe përgjegjësi në kryerjen e detyrave të përditshme në bashkëpunim me stafin e MASR.

Të punësuar tanimë pranë ministrisë së Arsimit në sektorë të ndryshëm si sektori i Përgatitjes dhe Fizibilitetit të Projekteve për Arsimin e Lartë, sektorin e Programeve të Zhvillimit Rinor, sektori i Burimeve Njerëzore si dhe ai Arkiv Protokoll, studentët rrëfejnë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare procedurën e aplikimit dhe mënyrën sesi u shpallën fitues.

Flori Kasaj edhe pse u shpall fitues në shumë vende, zgjodhi të punonte pranë ministrisë së Arsimit. Kasaj ka përfunduar studimet në universitetin e Tiranës, në fakultetin e Shkencave të Natyrës.

“Si student ekslent mu krijua mundësia të aplikoj për punë në administratën shtetërore. Pasi aplikova në platformë u shpalla fitues në shumë pozicione dhe zgjodha të jem pjesë e ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë”, tha ai.

Nga ana e saj, Rukije Lamçja e cila ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja thotë se kjo eksperiencë njëvjeçare do e ndihmojë në karrierën profesionale.

“Aplikova na platformën “punetembarë.al” falë rezultateve të mia dhe aktualisht ndodhem në pozicionin që u përzgjodha. Ky punësim mendoj se do të jetë një eksperiencë e re duke më ndihmuar në arritjet e mia të mëtejshme profesionale”, tregon ajo.

Gjithashtu, Anastasi Shakaj gjatë intervistës thekson se ata që punojnë fort shpërblehen.

“Jam në këtë pozicion falë aplikimit në platformën “punetembare” e cila iu dedikua tërësisht studentëve ekselentë.  Në fillim kam qenë shumë skeptike për procedurën, për procesin por gjithçka u zhvillua shkurt shpejt dhe saktë, pa më të voglën vështirësi, pa burokraci të tepërta. Ndaj sot e them me bindje se në vendin tonë ka meritokraci për ata që punojnë fort dhe me të vërtetë e meritojnë”, tha ajo.

Studentët ekselentë për vendin e tyre të punës aplikuan në platformën “punetembare.al” dhe u kontaktuan nga stafi i ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë për të nisur punën në bazë të dokumentacionit përkatës dhe të mesatares së tyre. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.