Rama uron Pashkën katolike me foto nga vendi ku u rrit At Gjergj Fishta

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama uroi sot besimtarët katolikë me rastin e festës së Pashkës.

Për të uruar këtë festë, Kryeministri zgjodhi një foto nga Memorialit në Kuvendin e Troshanit, ku mësoi, u rrit dhe dha më pas mësim At Gjergj Fishta.

“Mirëmëngjes dhe me këtë pamje të Memorialit në Kuvendin e Troshanit, ku mësoi, u rrit dhe dha më pas mësim At Gjergj Fishta, ju uroj Pashkë të gëzuara”, tha Rama.

Kuvendi i Troshanit, i ndodhur në Troshan të Lezhës, ka nxjerrë françeskanë të shquar si At Gjergj Fishta, Ambroz Marlaskaj, Leon Kabashi, Shtjefën Gjeçovi, Pashko Bardhi e shumë të tjerë, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë dhe kulturën shqiptare.

Sot, Kuvendi i Troshanit është restauruar dhe sistemuar me shumë kujdes nga Provinca Françeskane Shqiptare. Ai zotëron ambiente të brendshme të bollshme dhe shumë të përshtatshme për krijimin e një muzeu përkujtimor në nder të të gjithë figurave të ndritura françeskane shqiptare, duke u bërë kështu edhe një mundësi e shkëlqyer për turizëm kulturor.

Kuvendi i Troshanit ndodhet jo larg fshatit Fishtë, aty ku etërit françeskanë në vitin 1639 erdhën në shkrepat e këtij fshati të Zadrimës duke ngritur një Kishë dhe një shtëpi për të varfërit.

/m.m/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.