Patos/ Investime në bujqësi për nxitjen e zhvillimit ekonomik

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Ekonomia bujqësore mbulon rreth 60% të territorit të Patosit, ndaj dhe strategjia e zhvillimit të kësaj bashkie i përgjigjet ritmit ekonomik të zonës.

Kryetarja e bashkisë Patos, Rajmonda Balilaj inspektoi në terren situatën në njësinë administrative Zharrës për të përcaktuar më mirë prioritetet e ndërhyrjes në bujqësi.

Inpektimi në terren, tha Balilaj, “na jep mundësinë t’i ndjekim ndërhyrjet nga afër, t’i shikojmë njerëzit në sy për të vlerësuar së bashku prioritetet dhe për të vendosur po së bashku cili do të jetë investimi i radhës”.

Bashkia e re e Patosit kufizohet në veri dhe perëndim me bashkinë Fier, në jug me bashkinë Mallakastër dhe në lindje me bashkinë Roskovec.

Për shumë vite burimi kryesor ekonomik ka qenë sektori naftënxjerrës, por vitet e fundit ka një përqendrim gjithnjë e më të madh tek sektori i bujqësisë dhe agrikultura.

Sipas të dhënave, përveç ish-komunës Zharrës, zonat e tjera si Patosi dhe Ruzhdia kanë si burim kryesor ekonomik kultivimin e ullirit dhe tregtimin e nënprodukteve të tij, të cilat favorizohen dhe nga vetë relievi kodrinor i kësaj zone.

/m.m/e,caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.